Milan mposht Parmën si mysafir

Milan mposht Parmën si mysafir

Milani ka arritur të marrë një fitore të vuajtur përball skuadrës së Parmës, duke e mundur me rezultatin 1:3 në sfidën e xhiros së 30-të në Serie A, njofton Insajderi.

‘Kuqezinjtë’ e nisën vrullshëm takimin, ku që në minutën e tetë, Rebiç kaloi në avantazh skuadrën e Piolit, pas një asisti nga Ibrahimoviç. Goli i dytë erdhi në fundin e pjesës së parë me anë të mesfushorit Kessie, i cili goditi saktë një top në zonën e emilianëve, pas një kombinimi mjaft të bukur me Theo Hernandez.

Pjesa e dytë ishte e vakët për ‘kuqezinjtë’, teksa Parma ishte më kërkuese. Në minutën e 60-të të takimit, Ibra u ndëshkua me karton të kuq pas protestave të shumta ndaj gjyqtarit të takimit, Maresca.

Gjashtë minuta më vonë skuadra e Parmës ngushtoi rezultatin me anë të Galiolos. Në momentin më të mirë të Parmës, ‘kuqezinjtë’ arritën të shënonin dhe të tretin me anë të një kundërsulmi ku kësaj here ishte Leao i cili shënoi.

Me këtë fitore Milani ruan distancën me ndjekësit, pasi ndodhen në vendin e dytë me 63 pikë, teksa objektivi kryesor i ‘kuqezinjëve’ është të kualifikohen në Ligën e Kampionëve. /Insajderi.com