Milan rikthehet te fitorja, mposht Veronën si mysafir

Milan rikthehet te fitorja, mposht Veronën si mysafir

Milani është rikthyer te fitorja në kampionat, teksa ka mposhtur në transfertë Hellas Veronën me rezultatin 2:0, njofton Insajderi.

Pavarësisht mungesave të shumta dhe eksperimente në formacion, skuadra e Piolit ka marrë një fitore shumë të rëndësishme, e cila i dërgon në kuotën e 56 pikëve, tre pikë më pak se Interi kryesues që ka edhe një ndeshje më pak.

‘Kuqezinjtë’ zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në “Bentegodi”, duke dominuar gjatë gjithë kohës. Nga një gol për pjesë shënuan miqtë. Fillimisht ishte Rade Kruniç, i cili në minutën e 27-të shënoi një supergol nga goditja e dënimit, ndërsa në pjesën e dytë ishte Dalot, i cili pas një veprimi të bukur jashtë zone, lëshon një gjuajtje të fortë për ta ndalur topin në fundin e rrjetës.

Verona u mundua të reagonte, por e kishte të pamundur, pasi ‘kuqezinjtë’ ishin të vendosur mirë prapa.

Në dy ndeshjet e tjera të Serisë A, Forentina dhe Parma morën një barazim spektakolar 3-3, ndërsa Crotone mposhti në shtëpi Torinon me rezultatin 4-2. /Insajderi.com