Në derbin e javës së 16-të në Serie A, Milan ka shijuar humbjen e parë në kampionat, ku të përzgjedhurit e Stefano Piolit janë mposhtur nga kampionët në fuqi, Juventus me shifrat 3:1, njofton Insajderi.
Që nga fillimi, ndeshja kishte një tempo të lartë, ku të dyja ekipet kishin raste shënimi.
Të parët që kaluan në epërsi ishin miqtë nga Torino, me golin e Federico Chiesa-s (18’).
Katër minuta para përfundimit të pjesës së parë, nikoqirët barazuan rezultatin me Davide Calabria. Me shifrat 1:1 u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, përsëri Chiesa shënoi (62’), për të rikthyer epërsinë për Juventus-in, ndërsa golin e tretë e shënoi zëvendësuesi McKennie (76’), pas një asisti nga Kulusevski.
Deri në fund, Milan u mundua së paku të ngushtonte rezultatin, diçka që nuk u arrit. Me këtë fitore, Juventus ngritet në vendin e katërt me 30 pikë, me një ndeshje më pak se Milan, ndërsa Milan mbetet kryesuesi me 37 pikë edhe pas kësaj disfate, pasi përcjellësi më i afërt Inter, gjithashtu ka pësuar humbje në këtë xhiro. /Insajderi.com