Milan-Shkëndija, 15 mijë bileta të shitura për dy ditë

Milan-Shkëndija, 15 mijë bileta të shitura për dy ditë

Pas më shumë se 65 mijë të pranishmëve në ndeshjen e parë kundër Krajovës, në ndeshjen e kthimit të turit të tretë eliminator të Europa League, Milan synon sërish të ketë një stadium të mbushur, edhe përballë Shkëdijës së Tetovës.

Ndeshja është e vlefshme për “playoff”, që të lejon hyrjen në fazën e grupeve të trofeut të dytë më të rëndësishëm evropian të futbollit.

Vetëm pas 2 ditësh shitjesh, kuqezinjtë raportojnë më shumë se 15 mijë bileta të blera. Milan-Shkëndija do të luhet të enjten e ardhshme, që përkon edhe me mesgushtin e shenjtë të italianëve.

Në kulmin e vapës mbytëse që ka përfshirë gjithë Evropën, milanistët janë të etur për ta parë në fushë skuadrën e tyre për sezonin e ri. Sigurisht që numri i arritur në ndeshjen ndaj Krajovës është e vështirë të përsëritet, por drejtuesit e klubit duken optimistë.

Ndërkohë, Milani raporton se 14 mijë tifozë kanë rinovuar abonetë e tyre sezonale vetëm gjatë fazës eliminatore të Europa League.