
Mateo Musacchio ka hapur sot serinë e afrimeve për Milanin e ri që po ndërton Vincenzo Montella dhe klubi kuqezi ka dashur t’ua prezantojë tifozëve futbollistin i cili kaloi vizitat mjekësore dhe hodhi firmën në kontratën e tij.
Në një postim në faqen zyrtare të internetit, klubi ka dashur të përshkruajë karrierën e Musacchios duke treguar pesë veçori të tijat ndërsa që te e para saktësoi se ai në fakt ishte shqiptar.
“Mateo Musacchio, i lindur në Rozario të Argjentinës, zotëron pasaportën italiane falë gjyshërve nga babai, të cilët ishin pjesë e komunitetit shqiptar të Portikanone, një komunë në provincën e Kampobasos”, shpjegonte klubi italian në këtë artikull të shkurtër.
Veçoritë e tjera ishin se ai ishte debutuesi më i ri në historinë e River Plate, duke luajtur me ekipin e parë në moshën 16 vjeçare, njihte Zapatën, kishte qenë pjesë e mbrojtjes së dytë më të mirë në Spanjë në sezonin e fundit te Villareali si dhe preferonte të mbante numrat 5 dhe 13.
Ndërkohë, Musacchio bëri edhe xhiron e parë në ambientet e klubit, i shoqëruar nga e fejuara e tij, Irene Gonzalez, ndërsa dha edhe intervistën e parë si futbollist i kuqezinjve, duke treguar krenarinë se po vishte fanellën e kësaj skuadre. /Insajderi.com