Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan, tha se normalizimi me Izraelin përfundimisht do të ndodhë brenda kornizës së planit të paqes Palestinë-Izrael, raporton Insajderi.
Gjatë një interviste online me Institutin e Washingtonit për Studime të Lindjes së Mesme, e cila u transmetua të enjten vonë në faqen e saj të internetit, kryediplomati saudit tha se normalizimi me Izraelin ishte përfshirë në propozimin e planit saudit të paqes në vitin 1981, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke shprehur angazhimin e vendit të tij për paqen, ai tha se kjo është “një domosdoshmëri strategjike për rajonin”, duke shtuar se “normalizimi me Izraelin në fund është pjesë e kësaj”.
“Prandaj, ne gjithmonë imagjinojmë se normalizimi do të ndodhë, por gjithashtu duhet të kemi një shtet palestinez dhe planin e paqes Palestinë-Izraeli”, tha bin Farhan.
“E vetmja gjë që mund të çojë në paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm është një marrëveshje midis palestinezëve dhe izraelitëve dhe nëse nuk ia dalim ta arrijmë këtë, atëherë plaga do të mbetet e hapur në rajon”, tha ministri i Jashtëm saudit.
Ministri saudit theksoi gjithashtu domosdoshmërinë për të ulur palestinezët dhe izraelitët në tryezën e negociatave. /Insajderi.com