Ministri i SHBA mohon pretendimin për tërheqje të ushtarëve nga Iraku

Ministri i mbrojtjes së SHBA Mark Esper ka deklaruar se Uashingtoni nuk kam marrë asnjë vendim për tërheqje të ushtarëve nga Iraku, pasi u paraqit letra e një gjenerali amerikan në të cilën paralajmërohet largimi i amerikanëve nga ky vend.

Ministri i SHBA mohon pretendimin për tërheqje të ushtarëve nga Iraku

“Nuk është marrë asnjë vendim për braktisjen e Irakut. As nuk ka vendim që po shkojmë, e as që kemi dërguar çfarëdo plani për tërheqje apo për përgatitje të tërheqjes”, ka thënë Esper për gazetarë, në kohën e marrëdhënieve të tensionuara të SHBA me Iranin, transmeton AP.

Esper ka thënë se nuk di asgjë për letrën e gjeneralit të ushtrisë amerikane në të cilën lajmërohet se janë në zhvillim përgatitjet për tërheqje të ushtrisë nga Iraku, por ka pretenduar se ka rigrupime të forcave të SHBA.

Shefi i Pentagonit ka shtuar se SHBA mbesin të përkushtuar në luftë kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik në Irak dhe në rajon.

Parlamenti irakian dje ka kërkuar nga qeveria t’i dëbojë nga vendi forcat e koalicionit ndërkombëtar në krye me SHBA.

AFP më herët ka lajmëruar se gazetari i saj e ka parë letrën e gjeneralit William Seely, komandantit të forcave amerikane në Irak, me të cilën SHBA e informojnë komandën ushtarake në Irak për “ripozicionim” të koalicionit të forcave kundër xhihadiste ashtu që “të tërhiqen nga Iraku në mënyrë të sigurt dhe efikase”.

“E respektojmë vendimin e juaj sovran me të cilin urdhëroni largimin tonë”, shkruan në letër autenticitetin e të cilës për AFP kanë konfirmuar një zyrtar ushtarak amerikan dhe një irakian.

Në ndërkohë AFP ka transmetuar nga Uashingtoni se letra është e besueshme, por së “është dërguar gabimisht” edhe atë shumë herët.

Këtë ka deklaruar edhe shefi i Shtatmadhorisë, gjenerali Mark Milley.

“Ajo ishte një letër e panënshkruar, “draft” i letrës, të dedikuar për disa komanda ushtarake irakiane, sepse ditëve të fundit ka pasur lëvizje të shpeshta të trupave amerikane në Irak”, ka thënë gjenerali Milley për gazetarë.

“Ky është gabim deri te i cili ka ardhur pa ndonjë qëllim të keq”, ka thënë gjenerali./Insajderi.com.