Ministri Nitaj do të propozojë shkarkimin e bordit të Infrakos-it

Ministri Nitaj do të propozojë shkarkimin e bordit të Infrakos-it

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, ka paralajmëruar se do të propozojë që në mbledhjen e radhës së qeverisë të hyjë në rend dite shkarkimi i bordit të ndërmarrjes “Infrakos”, përcjell Insajderi.

Këtë vendim Nitaj ka thënë se e ka marrë pasi që Bordi i përkohshëm i “Infrakos”-it e ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv “edhe pse Zyra ligjore e Njësisë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike ka konstatuar se ka munguar bashkëpunimi me aksionarin dhe ka pasur shkelje të kritereve të konkursit”.

Ai ka deklaruar se si ministër ka kërkuar që procesi të rikthehet në zero, por bordi e ka proceduar tutje, duke mos përfillur kërkesat e Ministrisë që është aksionar i kësaj ndërmarrjeje.

“Për më tepër ky Bord e ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv të Infrakos-it për një mandat 5 vjeçar, ndërkohë që me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, në nenin 15.1 përcaktohet që secili drejtor zgjedhet në mandat prej 3 vitesh.

Kam kërkuar takim urgjent me Bordin e Infrakos-it për të marrë shpjegimin e tyre, gjë që nuk është realizuar me arsyetimin se kryetari i Bordit nuk ndodhet në Kosovë. Po ashtu kam kërkuar interpretim ligjor edhe në rastin e Postës, nëse ka pasur shkelje në procesin e zgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv dhe jam në pritje të tij”, thuhet në komunikatën për media të MEA-së.

Tutje, Nitaj është shprehur se shumicës së bordeve në ndërmarrjet publike u ka kaluar mandati, porse ai ka vendosur që të mos procedojë me rizgjedhjen e tyre, duke ia lënë këtë proces Qeverisë në ardhje.

“Unë nuk kam proceduar me zgjedhjen e bordeve të reja, edhe në rastet kur kanë përfunduar të gjitha procedurat e rekrutimit, intervistimit dhe poentimit, siç është rasti me Bordin e Telekom-it. Po ashtu kam mbështetur sugjerimet partnerëve në procesin e rekrutimit, që në disa raste të ndërpritet edhe procesi i intervistimit të kandidatëve që tashmë kanë aplikuar në konkurset e rregullta për anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike”, thuhet tutje në komunikatë./Insajderi.com