Ministria sqarohet rreth vendimit antidamping për bllokat e importuar nga Serbia

Ministria sqarohet rreth vendimit antidamping për bllokat e importuar nga Serbia

Ministria se Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka bërë sqarim publik lidhur me shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat e importuar nga Serbia.

Ministrja e këtij dikasteri, Rozeta Hajdari, ditë më parë ka njoftuar se ka shfuqizuar vendimin sepse më 7 korrik të këtij viti sipas afateve ligjore janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase.

E lidhur me këtë, MINT ka sqaruar se masa mbrojtëse prej 0,02€ për bllokat standard 19x19x25 të importuar nga Serbia, e cila ishte vendosur më datën 07.07.2016, ishte bërë si rezultat i shitjes së produktit në tregun e Kosovës nën vlerën normale të çmimit të tregut dhe se importi i produkti në fjalë dëmtonte prodhuesit vendorë në Kosovë.

“Mirëpo, ky vendim i marrë më datë 07.07.2016 nuk e specifikonte afatin prej 5 vitesh ashtu siç parashihet me ligj, së fundmi Departamenti i Tregtisë, duke u bazuar edhe në interpretimin ligjor nga Departamenti Ligjor në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht sipas nenit 46, paragrafit 2 dhe nenit 47 paragrafit 5, 6 dhe 7 të Ligjit për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese, dhe pas konsultimit me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, ka konstatuar se vendimi i masës mbrojtëse antidamping për bllokat standard 19x19x25 të cilët importohen nga Serbia duhet të shfuqizohet. Sipas nenit 46, paragrafi 2, “Çdo detyrim përfundimtar antidamping apo kundërbalancues duhet të skadojë pas një maksimumi prej 5 vitesh nga vendosja e tij” si dhe sipas nenit 47, paragrafit 7 “Masat e vendosura në bazë të kësaj procedure të skadimit mund të zgjasin deri në 5 vjet”. Prandaj duke i marrë parasysh të gjitha këto veprime është shfuqizuar vendimi, sepse më datë 07.07.2021, sipas afateve ligjore, janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas MINT-it, aktualisht Departamenti i Tregtisë është duke përcjellë për së afërmi sektorin e prodhimit të materialit ndërtimor me bazë argjilore dhe është duke analizuar importin dhe çmimet e shitjes së produktit në fjalë nga Serbia dhe së shpejti do të dalë me analiza konkrete.

“Nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendorë me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të marrë vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar ashtu siç parashihet me nenin 29 të këtij ligji dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vendosë përsëri masën mbrojtëse antidamping për bllokat 19x19x25 nga Serbia”, thuhet në reagim./Insajderi.com