Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka folur në lidhje me stadiumin kombëtar të përfaqësueses së Kosovës, njofton Insajderi.
“Ne e dimë që këtë vit, siç e theksova, deri në muajin gusht nuk kemi mundësi të nisim asnjë procedurë të aktivitetit të prokurimit. Pothuajse është vit i humbur për investimet kapitale. Aty parashikohet diku te 70-100 milionë euro për t’u kryer stadiumi. Besoj që duhet bërë një zgjidhje sepse, a ka Republika e Kosovës një buxhet të tillë për ndërtimin e këtij stadiumi në këtë fazë, apo duhet të shihet edhe partneriteti publiko-privat?!”, citohet të ketë thënë ministrja Dumoshi, raporton “Panorama Sport”.
Duhet cekur që Kosova si vendase, ndeshjet i zhvillon në stadiumin e FC Prishtinës, që bart emrin e legjendës kosovar të futbollit “Fadil Vokrri”.
Më herët, lokacioni për ndërtimin e stadiumit kombëtar, ishte caktuar në Bërnicë, ndërsa më vonë i është ndryshuar lokacioni, për t’u ndërtuar në afërsi të Drenasit. Stadium pritet t’i ketë 30.000 ulëse. /Insajderi.com