Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka sqaruar marrëveshjen që është nënshkruar midis shteteve të Ballkanit Perëndimor për tarifat e roamingut, transmeton Insajderi.
Ajo njofton se janë hequr tarifat e roamingut për thirrjet, SMS-të dhe internetin, të cilat shfrytëzohen jashtë paketave të operatorëve telefonikë.
“Do të thotë kur flasim për heqje të tarifave të romingut, jemi duke folur për shërbimet që janë jashtë paketave, thirrjet dhe mesazhet kushtojnë njëjtë tani, sikurse brenda vendit ashtu edhe jashtë shtetit”, ka thënë ajo për “Klan Kosovën”.
“Gjithashtu, për thirrjet e pranuara jashtë vendit, për dallim prej më herët, tani nuk paguani kosto shtesë për roming. Mirëpo, çka është me rëndësi të qartësohet është se sipas rregullores, operatorët telefonik kanë të drejtë të ofrojnë pako të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, ose me kosto të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se paketat e ofertave që i keni në Kosovë, t’i përdorni edhe jashtë vendit me të njëjtën kosto”, shtoi ministrja.
Rizvanolli më tej theksoi se Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) do ta monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshje nga operatorët kosovarë. /Insajderi.com