Mjeku sportiv që abuzoi seksualisht të paktën me 177 studentë meshkuj

Mjeku sportiv që abuzoi seksualisht të paktën me 177 studentë meshkuj

Sipas një raporti të publikuar nga Universiteti Shtetëror i Ohios në Shtetet e Bashkuara, mjeku i skuadrës së këtij universiteti ka abuzuar seksualisht me të paktën 177 studentë meshkujt të këtij institucioni përgjatë gati dy dekadave, ndonëse disa zyrtarë kanë qenë të vetëdijshëm për këtë skandal.

Dr.Richard Strauss, i cili bëri vetëvrasje më 2005, i prekte në pjesë të ndryshme të trupit djemtë e moshës së re nga viti 1979 deri më 1997 në kohën kur i trajtonte atletët e 16 sporteve të ndryshme në qendrën për shëndetin e studentëve. Këto gjetje u publikuan nga hetuesit e angazhuar nga Universiteti i Ohios.

“Neve na vjen shumë keq që kjo ka ndodhur”, tha Michael Drake, rektori i Universitetit të Ohios, gjatë një konference për gazetarë. Ai tha se ky rast është dështim i vazhdueshëm institucional që zgjati për vite të tëra. “Universiteti nuk e mori si duhet përgjegjësinë për studentët e vet dhe kjo është e pafalshme”, shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, rektori Drake kërkoi që ta distancojë universitetin që ai e drejton nga ajo që ndodhi para dy dekadash. “Ky nuk është universiteti i sotëm”, tha ai.

Gjetjet e këtij raporti e vendosin Straussin në të njëjtin grup me mjekun e gjimnastikës, Larry Nassar, i cili është akuzuar për keqtrajtim seksual të së paku 250 vajzave dhe grave. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Universiteti Shtetëror i Miçigenit, ku ai punonte, i ka ofruar 500 milionë dollarë për viktimat, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.