Me 36 vite mbi supe, Cristiano Ronaldo vendosi që të rikthehej në “Teatrin e Ëndrrave” për ta sfiduar edhe një herë veten në Premierligë.
Kishte zëra të ndryshëm që CR7 nuk do kishte impakt të madh në lojën e “Djajve të Kuq” për shkak të moshës së tij, por ai po e dëshmon të kundërten, shkruan Insajderi.com.
Kapiteni i Portugalisë është shpallur “Lojtari i Muajit” shtator në ishull, pasi në katër ndeshje të zhvilluara ka shënuar tre gola.
Se çfarë karriere ka pesë herë fituesi i Topit të Artë, e tregon edhe fakti që këtë çmim e kishte fituar për herë të fundit në mars të vitit 2008. Pra, 13 vite më pas, ai është ende duke luajtur në nivelet më të larta të futbollit.
Kjo është diferenca më e largët kohore mes dy çmimeve të fituara nga një futbollist në histori të këtij çmimi.
Pas këtij suksesi, ai është shprehur shumë i lumtur dhe në një postim të bërë në Facebook, ka falënderuar edhe shokët e skuadrës.
“Krenar që u zgjodha Lojtari i Muajit mes kaq shumë lojtarëve të mëdhenjë në Premier League. Faleminderit të gjithë shokëve të skuadrës në Man. United, nuk mund ta kishte bërë pa ta. Vazhdojmë të punojmë shumë dhe rezultatet do të vijnë”, shkroi ish-sulmuesi i Juventusit.
Ronaldo është duke kaluar në formë të mirë edhe në Ligën e Kampionëve ku në dy ndeshjet e zhvilluara ka po aq gola.
Ai ju bashkuar “Djajve të Kuq” në afatin kalimtar të verës, për një shumë prej 15 milionë eurosh./Insajderi.com