“Motra e vogël më vodhi të fejuarin kur isha shtatzënë”

“Motra e vogël më vodhi të fejuarin kur isha shtatzënë”

Laura Martin ishte ndjerë gjithnjë e lumtur që motra e saj e vogël dhe i fejuari ishin shokë të mirë, por ajo nuk ia kishte idenë se sa shumë po afroheshin me njëri-tjetrin. Këtë, Laura nga Skocia, e mori vesh kur Rikki, 36-vjeç dhe motra e saj 19-vjeçare Caitlin u arratisën sëbashku. Nënë e 6 fëmijëve, në atë kohë Laura ishte shtatzënë me fëmijën e 4-t të Rikkit.

E braktisur disa javë para Krishlindjes, Laura fillimisht u kthye nga motra e saj për ngushëllim. Por ajo kuptoi tradhtinë e kësaj të fundit pasi çifti doli publikisht në Facebook.

Historinë e saj, 30-vjeçarja e ndau në një shkrim në përditshmen The Sun.

E reja tregon se kishte dy fëmijë nga një lidhje e mëparshme dhe kur ishte njohur me Rikkin, ishte ndjerë shumë e lumtur që dy fëmijët e saj e donin partnerin po aq sa ajo.

Sa i përket së motrës, duke pasur një diferencë prej 11 vitesh, ajo tregon se e shihte më shumë si të bijën, se sa si motër. “Ishim shumë të afërta me njëra tjetrën dhe mendimi i saj ishte shumë i rëndësishëm për mua”, tregon Laura.

Me Rikkin u fejuan në 2012-n dhe dashuria e tyre u kurorëzua me 3 fëmijë. Caitlin shkonte shpesh në familjen e motrës për t’u kujdesur për fëmijët. Në Gusht të 2017-s, Laura ngeli sërish shtatzënë dhe gjithçka shkonte për mrekulli.

Në këtë kohë motra e saj 19-vjeçare shkonte thuajse gjatë gjithë kohës tek shtëpia, duke u ofruar që të ndihmonte me çdo gjë mundej.

Isha shumë mirënjohëse, por ndonjëherë më mungonte një natë vetëm unë dhe Rikki. Por ky i fundit dukej se nuk e kishte problem. Ai shkonte kaq mirë me Caitlin sa ndonjëherë ndihesha si e huaj në shtëpinë time”, tregon 30-vjeçarja.

“Doja që të ishin miq, por nuk ishte në qëllimin tim që t’i afroja aq shumë. U përpoqa që t’i largoja këto mendime nga koka, duke e bindur veten se ishin hormonet e shtatzënisë që po më bënin irracionale. Por Rikki nisi të distancohej dhe qëndronte thuajse gjatë gjithë kohës në telefon”.

Laura tregon më tej se motra nisi të shkonte në shtëpinë e saj gjithnjë e më shumë, shpesh edhe kur ajo nuk ishte në shtëpi. 30-vjeçarja e përballi të fejuarin e saj për shqetësimin që kishte, por ky i fundit i tha se thjeshtë po bëhej paranojake.

Por të gjitha dyshimet që kishte, u bënë konkrete në Dhjetor të 2017-s. Laura ndodhej në shtëpi, kur Rikki e mori në telefon nga puna. “Nuk të dua më, më duhet të largohem”. Fjalët e tij i ranë si bombë, sidomos pasi kuptoi se babai i fëmijëve të saj ishte serioz.

E gjithë bota e saj u trondit. U gjet e vetme me 5 fëmijë dhe një tjetër që po vinte. Pa e menduar gjatë, Laura mori në telefon të motrën për të qarë me të hallin e madh që e kishte zënë. Caitlin erdhi dhe qëndroi me të gjatë gjithë natës, duke u betuar se Rikki nuk i kishte thënë asgjë. 4 javë me vonë, Caitlin nisi të mos i përgjigjej më në telefon dhe në këtë pikë Laura ishte bërë më dyshuese se kurrë.

Kur ata konfirmuan lidhjen e tyre në Facebook, bota e Lauras u trondit sërish, këtë herë edhe më fort. Ishte 4 muajshe shtatzënë dhe familja e saj aq sa e tronditur, aq edhe e neveritur ishte nga çfarë kishte ndodhur.

Për muaj me radhë fajësoja veten. Duhet ta kisha kuptuar që kishin tërheqje për njëri-tjetrin. Zgjodha të injoroja shenjat që kisha para syve. Tani, kur Rikki vjen për të takuar fëmijët, përfshirë djalin tonë 7 muajsh, nuk e shoh dot në fytyrë”, tregon më tej 30-vjeçarja, ndërsa shton: “Nuk mund ta besoj që dy prej njerëzve më të afërt në botë më tradhtuan në këtë mënyrë”.