Mueller do të dëshmojë para Kongresit amerikan me këtë datë

Mueller do të dëshmojë para Kongresit amerikan me këtë datë

Hetuesi special, Robert Mueller, do të raportojë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara më 24 korrik, një javë më vonë sesa koha e planifikuar më parë. Sipas marrëveshjes së arritur nga të dyja palët, ligjvënësit tashmë do të kenë më shumë kohë për t’i bërë pyetje atij.

Më parë ishte caktuar që Mueller të raportojë më 17 korrik për hetimet e tij lidhur me ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në fushatën e Donald Trumpit gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Sidoqoftë, ligjvënësit republikanë dhe demokratë u ankuan se  koha e shkurtër e raportimit nuk t’ua mundësojë të gjithë deputetëve paraqitjen e pyetjeve.

Në bazë të një marrëveshjeje të re, hetuesi Mueller do të raportojë për tri orë para komisionit për drejtësi, e jo dy orë, siç ishte planifikuar më parë. Ai më pas do të raportojë edhe para komisionit për inteligjencë. Të dyja komisionet njoftuan se të gjithë anëtarët e tyre do të kenë mundësi t’i paraqesin pyetjen e tyre, transmeton Express

Mueller ka ngurruar të japë hollësi për hetimet e tij dhe ka thënë se nuk do të tregojë diçka që nuk është në raportin e dorëzuar më parë, i cili përbëhet nga 448 faqe. Sidoqoftë, demokratët po këmbëngulin që publiku amerikan të informohet më mirë për përmbajtjen e këtij raporti.

Pritet që demokratët ta pyesin hetuesin Mueller për rezultatet e hetimeve, përfshirë dyshimet se presidenti Trump i ka penguar organet e drejtësisë gjatë zhvillimit të hetimeve, shkruan “The Guardian”.