Një mumie egjiptiane që më parë besohej të ishte një prift ka rezultuar të jetë një grua shtatzënë, shkruan CNN, transmeton Insajderi.
Zbulimi i befasishëm, i pari i këtij lloji kudo në botë, u bë nga shkencëtarët polakë në projektin “Mumie të Varshavës”.
Ekipi, i cili që nga viti 2015 ka punuar për të ekzaminuar plotësisht mumiet njerëzore dhe shtazore nga Egjipti i Lashtë në Muzeun Kombëtar në Varshavë, kuptoi identitetin e vërtetë të trupit pasi zbuloi një këmbë të vogël në bark gjatë një skanimi.
Gruaja mendohet se ka vdekur në moshën 20 deri në 30 vjeçare dhe se fetusi do të kishte qenë në periudhën prej 26 deri në 30 javë të shtatzënisë.
“Ne nuk e dimë shkakun e vdekjes – ai do të jetë objekt i hetimeve të mëtejshme”, thanë studiuesit.
Një nga pyetjet më të mëdha që kanë shkencëtarët është pse fetusi – gjinia e të cilit nuk është përcaktuar – mbeti në vend pasi organet e brendshme zakonisht hiqeshin para mumifikimit. /Insajdericom