Përpara kryengritjes së talebanëve, në Afganistan jeta për homoseksualët ishte e rrezikshme.
Nëse kuptohej orientimi i tyre seksual, pjesëtarët e komunitetit LGBT mund të arrestoheshin dhe të dërgoheshin në gjykatë, sipas ligjeve afgane, shkruan CNN, transmeton Shqip.com.
Por, meqenëse talebanët morën kontrollin e qyteteve të mëdha në Afganistan javën e kaluar, Abdul nga ky komunitet (emri i është ndryshuar) i tha Radio 1 Newsbeat se nëse seksualiteti i tij do të zbulohej tani do të “vritej në vend”.
Talibanët janë një grup ushtarak që kanë marrë kontrollin e vendit dhe janë të njohur për zbatimin e idealeve ekstreme islamike.
Sipas interpretimit të ligjit të Sheriatit nga talebanët, homoseksualiteti është rreptësisht i ndaluar dhe dënohet me vdekje.
“Kishte jetë në këtë qytet”
Këtë javë, Abdul supozohej të ishte duke i dhënë provimet e fundit universitare, duke shkuar për drekë me miqtë dhe duke vizituar të dashurin e tij, të cilin e takoi në një pishinë tre vjet më parë.
Në vend të kësaj, ai është ulur në shtëpinë e tij për ditën e katërt me radhë. Aktualisht ka ushtarë talebanë jashtë derës së shtëpisë së tij.
“Edhe kur shoh talibanët nga dritaret ndjehem vërtet i frikësuar. Trupi im fillon të dridhet kur i shikoj ata,” thotë ai.
Nuk janë vetëm udhëheqësit e rinj të vendit ata që nuk mund të mësojnë për seksualitetin e Abdul.
Ai thotë: “Si një person homoseksual në Afganistan, ju nuk mund ta zbuloni veten, as për familjen ose miqtë tuaj”.
“Nëse i zbulohem familjes time, ndoshta ata do të më rrahin, ndoshta do të më vrasin.”
Edhe pse ai ishte duke e fshehur seksualitetin e tij, Abdul më parë kishte shijuar jetën në qendrën e qytetit.
“Studimet e mia po shkonin në mënyrë perfekte. Kishte jetë në qytet, kishte turma në qytet.”
“Nuk ka të ardhme për ne,” thotë ai. “Nuk mendoj se do të vazhdoj shkollimin tim. Miqtë e mi, kam humbur kontaktin me ta. Nuk e di nëse ata janë mirë.
“Partneri im, ai ka ngecur në një qytet tjetër me familjen e tij. Unë nuk mund të shkoj atje, ai nuk mund të vijë këtu.”/Insajderi.com