fbpx

Mungesa e koordinimit SHBA-BE sjellë pasojat e para

Mungesa e koordinimit SHBA-BE sjellë pasojat e para

Politikat e sanksioneve po rrezikojnë ta humbasin efektshmërinë, për shkak të mungesës së koordinimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Paralajmërimi vjen nga një studim britanik i Institutit të Bashkuar Mbretëror, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po kërkojnë vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Koresë së Veriut.

Prova më e fundit me një rakete balistike ndërkontinentale nga Korea e Veriut i shtyu Shtetet e Bashkuara drejt sanksioneve të reja ndaj Phenianit dhe firmave të huaja, për të cilat Uashingtoni thotë se vazhdojnë të ushqejnë ekonominë e atij vendi.

“Duam t’i vendosim këto firma përpara një zgjedhjeje të qartë. Ose të bëjnë biznes me ne, ose me Korenë e Veriut, por jo me të dy njëkohësisht”, tha Senatori demokrat Chris Van Hollen.

Natyra e fragmentuar e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga OKB-ja, SHBA-ja dhe BE-ja, i bën ato më pak të efektshme ndaj Pyongyang-ut, thotë autori i raportit, Emil Dall:

“Ekziston një rrjet kompleks kompanish fasadë dhe agjentësh që punojnë për regjimin e Koresë së Veriut, të cilët i shpëtojnë listës së sanksioneve”.

Zoti Dall përmend disa shembuj të koordinimit efikas. Dy vite më parë, SHBA-ja, Kina, Franca, Rusia, Britania dhe Gjermania nënshkruan një plan veprimi për Iranin. Për rrjedhojë, disa sanksione të BE-së dhe SHBA-së u hoqën në shkëmbim të kufizimit të programit bërthamor të Teheranit.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë zbatuar gjithashtu sanksione të ngjashme ndaj individëve dhe kompanive ruse, pas marrjes me forcë nga Moska të Krimesë dhe pushtimit të Ukrainës lindore.

Por, për shkak të natyrës së Bashkimit Evropian, krijohen shpesh mundësi për shmangie të sanksioneve.

“Për të vendosur sanksione të reja duhet të bien unanimisht dakort të gjitha vendet anëtare. Në Bashkimin Evropian, ekziston gjithnjë edhe mundësia e padive në gjykatat evropiane”, thotë zoti Dall.

Ndërsa sanksionet e SHBA-së mund të përshtaten sipas veprimeve që ndërmarrin shtetet që duan t’i shmangin ato.

“SHBA-ja ka aftësinë të marrë me shpejtësi masa të reja dhe të shtojë sanksionet. Zgjidhja do të ishte një komunikim më i mirë ndërmjet SHBA-së, BE-së, si dhe sektorit privat”, sugjeron zoti Dall.

Dalja e ardhshme e Britanisë nga BE-ja i komplikon gjërat më tej. Sipas raportit, Londra do të jetë në gjendje të vendosë dhe zbatojë sanksione të reja më me shpejtësi, duke qenë jashtë BE-së. Por, sanksionet e saj do të kenë më pak efekt pa mbështetjen e strukturave evropiane të zbatimit të ligjit.