Munishi: Nuk ekziston kombi kosovar

Munishi: Nuk ekziston kombi kosovar

Ismet Munishi ka vazhduar me deklarata interesante në lidhje me debatin rreth kombëtareve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Munishi ka thënë se Kosova s’mund të quhet kombëtare, sepse kombi kosovar nuk ekziston në kushtetutë.

“Nuk mund ta quaj kombëtare sepse Kosova është me kushtetutë shtet i shqiptarëve dhe i minoriteteve”, tha Munishi në Debat Plus, transmeton Insporti

“Kombëtare Kosovën nuk mund ta quajmë. Është term që rrjedh prej anglishtes ‘national team’, te ne nuk ekziston kjo fjalë sepse atje, ajo përfshin edhe kombin edhe shtetin. Te ne është pak më ndryshe, te gjuha shqipe. Brazili për shembull e ka termin seleksion (Selecao)”, shtoi Munishi.

Ai Kombëtaren e Shqipërisë sërish refuzoi ta quajë kombëtare, madje shtoi se ajo duhet të referohet si gjysmë kombëtare.

Sipas Munishit, as Kombëtarja e Shqipërisë nuk e përfaqëson të gjithë popullin shqiptar.

“Unë kombëtare nuk e quaj as të Shqipërisë, sepse ajo nuk e përfaqësonë gjithë popullin shqiptar, por vetëm gjysmën. Nuk e përfaqëson as Çamërinë, as Preshevën, as Ulqinin, as Maqedoninë”.

“Atë duhet ta quajmë gjysma e Kombëtares”, tha më tej Munishi.

“Këtë e elaborova në termin gramatikor dhe kushtetues, pse nuk e quaj Kombëtare e Kosovës. Ndërsa pse nuk e quaj Kombëtarja shqiptare, e elaboroj në term gjeostrategjik”.

“Kombëtarja e Shqipërisë nuk i përfaqon gjithë shqiptarët, as Kosovën nuk e përfaqëson, por shqiptarët brenda kufijve. Nuk e përfaqëson kombin shqiptar”, theksoi ai. /Insporti.com/