Napoli befason Juventusin duke e mundur minimalisht 1-0 në stadiumin “Diego Armando Maradona”, njofton Insajderi.
Insigne dhe Rrahmani ishin heronjtë e skuadrës së Gennaro Gattusos duke fituar një takim të madh në aspektin moral. Me këtë humbje, kampionët e Italisë marrin një goditje të fortë për garën e titullin kampion.
Në minutën e 30-të, arbitri akordon penallti për Napolin pasi kapiteni i Juventusit Chiellini mbulon sytë e Rrahmanit gjatë aksionit në zonë. Pas pamjeve në VAR, Napoli fiton penallti.
Lorenzo Insigne nuk fal nga 11 metra dhe “vret mallkimin” e penalltive të humbura kundër “Zonjës së Vjetër”, ku e fundit ishte ajo në Superkupën e Italisë.
Mbrojtësi i majtë i Juventusit, kolumbiani Juan Cuadrado u zëvendësua në pjesën e dytë pas dhimbjeve në kofshën e djathtë. Në vend të tij, trajneri Pirlo aktivizon anësorin brazilian Alex Sandro.
Në minutën e 52-të, Cristiano Ronaldo humbet një rast ideal për të barazuar takimin. Nga distancë e afërt, goditja e tij u bllokua prej portierit të Napolit, Alex Meret.
Me këtë fitore, Napoli përkohësisht ngritët në vendin e katër në tabelë me 40 pikë, teksa Juventus mbetet në vendin e tretë me 42 sosh. /Insajderi.com