Napoli kalon në gjysmëfinale të kupës, mposht Spezia-n

Napoli kalon në gjysmëfinale të kupës, mposht Spezia-n

Napoli i Gennaro Gattusos- ka triumfuar me rezultatin 4-2 në çerekfinalen e Kupës së Italisë ndaj Spezia-s duke siguruar një biletë për në gjysmëfinale ku do të përballet me Atalantën, njofton Insajderi.

Të ‘katërtit’ arritën të shënonin plot katër gola në pjesën e parë, ndërkohë që në fragmentin e dytë të lojës lëshuan disi terren, ku miqtë nga Spezia arritën të shënonin dy herë me Gyasi-n dhe Acampora-n.

Protagonist në këtë sfidë ishte edhe mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, i cili dhuroi asist në golin e parë të realizuar nga mbrojtësi Koulibaly, ndërkohë që Lozano, Politano dhe Elmas, kompletuan pokerin në pjesën e parë.

Vlen të theksohet fakti se trajneri i Spezia-s, Italiano, i kishte besuar vendin e titulluarit mbrojtësit Ardijan Ismajli, i cili bëri një paraqitje të kënaqshme, pavarësisht disfatës. /Insajderi.com