Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, është helmuar kanë thënë mjekët e spitalit gjerman, Charite, ku po trajtohet aktualisht ai.
“Substanca e saktë nuk dihet ende. Analizat e zgjeruara kanë nisur. Efekti i helmit është parë disa herë në laboratore të pavarura”, ka thënë spitali, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Insajderi.
Lideri opozitar është thënë se është ende në kujdes intensiv.
Qeveria gjermane ka thënë më herët gjatë ditës se Navalnyt i duhet mbrojtje personale derisa është duke u trajtuar në një spital në Berlin.
Navalny është dërguar nga Siberia në Gjermani më 22 gusht, pasi i ishte përkeqësuar gjendja gjatë një fluturimi për në Moskë.
Mjekët kanë thënë se ka pasur çrregullime me metabolizmin.
Ndihmësit e Navalnyt kanë thënë se besojnë se ai është helmuar kur ka pirë një gotë me çaj, që e ka blerë në aeroportin e qytetit Tomsk, para se të nisej në Moskë.
Për këtë arsye aeroplani është detyruar të bëjë ulje emergjente, meqë Navalny nuk është ndjerë mirë.
“Ne po përballemi me një pacient që ka mundësi të jetë helmuar”, ka thënë Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel.
Dyshimet ekzistojnë se dikush e ka helmuar Navalnyn – që dikush seriozisht e ka helmuar Navalnyn – e që fatkeqësisht kemi shembuj në historinë e kohëve të fundit në Rusi. Prandaj bota e konsideron këtë dyshim me shumë seriozitet”, ka thënë ai më 24 gusht.
“Pasi ekziston mundësia e sulmit përmes helmimit, mbrojtja është e domosdoshme”, ka shtuar mes tjerash Seibert.
Ministria e Shëndetësisë për rajonin Omsk, ku Navalny është trajtuar fillimisht, ka thënë më 22 gusht se kafeina dhe alkooli janë gjetur në organizimin Navalnyt por jo “ndonjë helm sintetik”.
Dirk Wiese, koordinator i qeverisë gjermanë për çështje të Evropës Lindore, i ka thënë transmetuesit publik, ZDF, se lideri opozitar rus vazhdon të jetë në gjendje kritike, por të qëndrueshme në Spitalin Charite të Berlinit.
Wiese ka thënë se policia gjermane është duke ruajtur dhomën e Navalnyt si masë parandaluese./Insajderi.com