NBA: Russell Westbrook kalon nga Houston Rockets te Washington Wizards

NBA: Russell Westbrook kalon nga Houston Rockets te Washington Wizards

Ekipi i NBA-së amerikane, Washington Wizards ka angazhuar superyllin Russell Westbrook nga Houston Rockets në këmbim të yllit John Wall dhe zgjedhje të ardhshme të raundit të parë nga lotaria, njoftuan sot Wizards, transmeton Insajderi.

“Të kesh mundësinë e angazhimit të një lojtari të kalibrit dhe karakterit të Russell-it është diçka që nuk mund ta kalonim kur e shikojmë të ardhmen e menjëhershme dhe afatgjate të ekipit tonë”, tha menaxheri i përgjithshëm i Wizards, Tommy Sheppard në NBA.com.

“Vendimi për t’u ndarë me John, një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e ekipit, ishte jashtëzakonisht i vështirë. Rëndësia e tij për organizatën dhe komunitetin tonë është e pamatshme dhe nuk do të harrohet”, shtoi ai.

Westbrook, që ishte MVP i sezonit 2017, ka një mesatare prej 23.2 pikë, 8.3 asiste dhe 7.1 kërcime në 878 ndeshje me Oklahoma City dhe Houston Rockets.

Nga ana tjetër Wall u zgjodh nga Wizards si zgjedhja e parë në draftin e NBA-së të vitit 2010. Ai ka një mesatare prej 18.9 pikë, 9.2 asiste dhe 4.3 kërcime në 541 ndeshje. /Insajderi.com