Ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

Ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.

Kompetencat e Bonit i japin atij të drejtë për të shtyrë përpara vendime, për të cilat, akterët e tjerë politikë nuk shfaqin vullnet për një gjë të tillë. Inzko e mori këtë vendim, disa ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnje.

“Së pari, theksoj se pajtimi nuk mund të ndodhë pa njohjen e krimeve dhe pa përgjegjësi. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, parandalojnë shoqëritë nga përballja me të kaluarën e tyre kolektive, përfaqësojnë poshtërim të përsëritur të viktimave dhe të dashurve të tyre, dhe në të njëjtën kohë, zgjasin padrejtësinë dhe rrezikojnë marrëdhëniet paqësore shoqërore”, tha Inzko përmes një letre, ku ka arsyetuar vendimin e tij, shkruan REL.

Përfaqësuesi i lartë deklaroi se mohimi i gjenocidit dhe mohimi i krimeve të tjera të luftës janë veçanërisht të rrezikshme në një vend si Bosnja, e cila në të kaluarën e saj të afërt, ka përjetuar fushata të tmerrshme të spastrimit etnik dhe krimeve masive të kryera gjatë një konflikti brutal dhe të përgjakshëm.

Ky vendim parashikon burgim nga tre muaj deri në tre vjet, për të gjithë ata persona që publikisht nxisin dhunë ose urrejtje ndaj një grupi personash ose ndaj një anëtari të një grupi racor, fetar apo që ka kombësi e origjinë tjetër etnike.

Ndërkaq, dënim deri në gjashtë muaj deri në pesë vjet, do t’iu shqiptohet të gjithë personave që publikisht mohojnë, minimizojnë apo përpiqen të justifikojnë një krim të gjenocidit, krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës, thuhet në vendim.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende./Insajderi.com