Kina njoftoi ndalimin e transmetimit të Korporatës Britanike të Transmetimit (BBC) në vend me pretendimin për anshmëri gjatë raportimit, transmeton Insajderi.
BBC World News tani e ka të ndaluar të transmetojë në vend, njoftoi Rrjeti Global Televiziv i Kinës (CGTN), duke cituar Administratën Kombëtare të Radios dhe Televizionit (NRTA), raporton Anadolu Agency (AA).
Disa nga raportet e BBC-së mbi Kinën shkelën “parimet e vërtetësisë dhe paanësisë në gazetari”, tha transmetuesi kinez.
Kjo masë e Kinës erdhi disa ditë pasi rregullatori i transmetimit i Mbretërisë së Bashkuar, Ofcom, i mori licencën transmetuesit shtetëror kinez CGTN.
Një deklaratë nga Ofcom tha se licenca nga CGTN për të transmetuar në Mbretërinë e Bashkuar u tërhoq pasi hetimi i tij arriti në përfundimin se licenca “mbahej në mënyrë jo të drejtë nga Star China Media Limited”.
CGTN është kanal satelitor ndërkombëtar i lajmeve në gjuhën angleze që mund të qaset përmes satelitit nga Mbretëria e Bashkuar. /Insajderi.com