Napoli i Elseid Hysajt dhe i Amir Rrahmanit triumfoi me rezultatin 5-2 ndaj Lazios, në sfidën e vlefshme për javën e 32-të të Serisë A, njofton Insajderi.
Dominim absolut i skuadrës së Gattusos, që arriti të shënonte dy herë në pjesën e parë. Ishte Insigne që hapi serinë e golave në minutën e shtatë duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërkohë që në minutën e 12-të Politano dyfishoi shifrat.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0. Vendasit nuk u mjaftuan me këtë epërsi, teksa në pjesën e dytë, ishte Insigne, që në minutën e 53-të, ngriti shifrat në 3-0. Më pas ishte radha e Mertens, për t’i dhënë një goditje të madhe lacialëve, duke çuar shifrat në 4-0. Pavarësisht disavantazhit të katër golave, Lazio provoi ta rihapte sfidën duke realizuar dy herë në harkun kohor të katër minutave me Immobilen dhe Milinkoviç-Saviç.
Për të vulosur sfidën mendoi sulmuesi Osimhen, i cili në minutën e 80-të shënoi golin e pestë. Vlen të theksohet fakti se titullar në përballjen e sotme, ishte edhe Hysaj, i cili bëri një paraqitje të mirë, ndërsa Rrahmani u inkuadrua në lojë në minutën e 71-të duke zëvendësuar mbrojtësin grek Manolas. /Insajderi.com