Në Floridë ekzekutohet vrasësi serial i homoseksualëve

Njeriu i cili ka pranuar se ka vrarë gjashtë burra gej në një periudhë prej tetë muajve në vitin 1994 është ekzekutuar në shtetin federal amerikan Florida.

Në Floridë ekzekutohet vrasësi serial i homoseksualëve

Garry Ray Bowles (58), i quajtur “vrasësi nga autostrada Interstate 95”, autostradë në lindje të SHBA nëpër të cilën i ka lënë trupat e viktimave, u shpallë i vdekur në orën 4:58 sipas kohës së Evropës Qendrore, ndërsa për ekzekutim është përdorur gjilpëra vdekjeprurëse.

Në deklaratën e fundit të shkruar, ai ka kërkuar falje për dhembje dhe vuajtje të cilat i ka shkaktuar. U arrestua në vitin 1994 në Xheksonvill, në verilindje të Floridës për vrasje të Walter Jamal Hinton.

Ai më pas kishte pranuar se ka vrarë edhe pesë burra në disa shtete amerikane, por është dënuar me vdekje vetëm për vrasjen e tij të gjashtë, vrasjen e Hintonit.

Bowles ka pasur fëmijëri të komplikuar. Babai i kishte vdekur para lindjes së tij dhe ka qenë i abuzuar në fëmijëri nga dy partnerë të nënës së tij. Kishte filluar me droga dhe alkool në moshën 11 vjeçe, dhe gati e kishte vrarë njërin nga njerkët e tij kur ishte 13 vjeç, me ç’rast e ka goditur me gurë në kokë, sipas pretendimeve të medieve lokale.

Ai ka vrarë burrat e moshuar gej të cilët më pas i plaçkiste.

Gjykata Supreme e shtetit të Floridës ka refuzuar një numër të madh të kërkesave për shtyrje të ekzekutimit të tij.

Në Floridë të dënuarit me vdekje mund të zgjedhin se a do të bëhet ekzekutimi në karrige elektrike apo me injeksion.

Garry Ray Bowles është i burgosuri i 13 i cili është ekzekutuar prej fillimit të vitit në SHBA dhe i treti vetëm këtë javë./Insajderi.com.