Në Itali, gjatë 24 orëve të fundit vdesin 151 persona nga Covid-19

Në Itali, gjatë 24 orëve të fundit vdesin 151 persona nga Covid-19

Italia raportoi sot 19.644 raste të reja me Covid-19, që është rritja më e lartë njëditore që nga fillimi i pandemisë, transmeton Insajderi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 178 mijë teste janë kryer gjatë 24 orëve të fundit.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në vend arriti në 504.509.

Italia regjistroi gjithashtu 151 raste të reja të vdekjeve gjatë ditës së kaluar, duke e çuar numrin e të vdekurve në 37.210.

Rritja e numrit të infeksioneve gjatë javëve të fundit ka vënë qeverinë nën presion për të miratuar masa të reja kufizuese, në mënyrë që të shmanget një bllokim i ri në të gjithë vendin që do të ishte shkatërrues për ekonominë e brishtë të Italisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Giuseppe Conte u takua sot me autoritetet rajonale për të planifikuar masa të reja kufizuese që mund të vendosen javën e ardhshme në nivel kombëtar.

Në ditët e fundit, guvernatorët lokalë në disa rajone kanë miratuar orë policore brenda ditës në një përpjekje për të ndaluar takime të mëdha jashtë bareve dhe restoranteve.

Masat e reja shkaktuan mbrëmë protesta të dhunshme në qytetin jugor të Napolit, duke shkaktuar trazira urbane dhe përplasje midis protestuesve të maskuar dhe policisë.

Ministrja e Brendshme Luciana Lamorgese sot i vlerësoi protestat si “të papranueshme”, duke shtuar se prokurorët e Napolit kanë filluar hetimet.

Lamorgese gjithashtu tha se zyrtarët e sigurisë po planifikonin të rrisnin forcat policore në zonë për të shmangur trazirat e reja. /Insajderi.com