Në La Liga shënojnë fitore skuadrat madrilene

Në La Liga shënojnë fitore skuadrat madrilene

Në javën e shtatë në La Liga, skuadrat nga Madridi, Real dhe Atletico, kanë shënuar fitore të lehta nga Huesca dhe Osasuna, njofton Insajderi.

Skuadra e Zidane ka shënuar fitore 4:1 kundër Huesca-s. Për epërsinë e parë, shënoi belgu Eden Hazard në minutën e 40’ të ndeshjes, ndërsa para se ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes, shënoi Benzema në fund të pjesës s parë, duke vulosur epërsinë e dy golave pas 45’ minutave të parë.

Në pjesën e dytë, Valverde shënoi për 3:0, në minutën e 54’ të ndeshjes, ndërsa miqtë do ngushtonin epërsinë më anë Ferreiro në të 74’ minutë. Në kohën shtesë, përsëri në skenë do dilte Benzema, me golin e tij të dytë në këtë takim dhe të katërtin për ekipin e tij, duke dhënë verdiktin final, Real Madrid 4:1 Huesca.

Në ndeshjen tjetër, skuadra tjetër nga Madridi, Atletico, ka shënuar fitore 1:3 kundër Osasunës. Sulmuesit portugez Joao Felix shënoi dy gola në minutat 43’ dhe 69’, derisa vendasit do të ngushtonin përkohësisht rezultatin me Budimir (80’). Golin e tretë dhe të fundit në këtë takim, e shënoi mesfushori uruguaian, Lucas Torreira, dy minuta para fundit.

Në ndeshjen tjetër të ditës së shtunë në La Liga, Athletic Bilbao mposhti me përmbysje Sevilla-n me rezultat 2:1.

Pas javës së shtatë në Spanje, prin Real Madrid me 16 pikë, e ndjekur nga Sociedad dhe Atletico Madrid me nga 14 pikë. /Insajderi.com