Së paku 60 persona kanë humbur jetën pasi një anije u fundos në liqenin Mai-Ndombe në pjesën perëndimore të Republikës Demokratike të Kongos (RDK), transmeton Insajderi.
Autoritetet lokale njoftuan se fatkeqësia ka ndodhur në afërsi të fshatit Longola Ekoti në provincën Mai-Ndombe, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Veprimit Humanitar, Steve Mbikayi, njoftoi në Twitter se anija ishte e mbingarkuar me mbi 700 pasagjerë. Ai theksoi se deri më tani janë gjetur 300 të mbijetuar, por qindra edhe më tej llogariten si të zhdukur.
“Ngushëllojmë familjet e pikëlluara dhe kërkojmë sanksione kundër të gjithë atyre që janë përgjegjës”, tha ministri Mbikayi.
Aksidentet me varka shpesh rezultojnë në një numër të madh të viktimave, ndërsa shumica e aksidenteve që ndodhin në vende të largëta në Republikën Demokratike të Kongos madje nuk raportohen.
Shumica e aksidenteve ndodhin kryesisht për shkak të mbingarkesës, mosrespektimit të standardeve të lundrimit dhe gjendjes së dobët të mjetit të lundrimit. /Insajderi.com