Në Rripin e Gazës situata është jashtë kontrollit

Qindra të lënduar në përleshje me ushtrinë izraelite, ka edhe të vdekur!

Në Rripin e Gazës situata është jashtë kontrollit

Mijëra palestinezë nga Rripi i Gazës janë mbledhur të premten në protesta në shumë vende afër kufirit me Izraelin dhe për këtë kanë shpërthyer përleshjet me ushtarët izraelit.

Siç lajmëron BBC, së paku pesë njerëz kanë vdekur, dhe më shumë se 350 të tjerë janë lënduar në përleshje me ushtarët e Izraelit.

Të premten në mëngjes, para fillimit të protestave, një bujk palestinez ka vdekur me rastin e sulmit të artilerisë izraelite në jug të Rripit të Gazës, ka lajmëruar ministria e shëndetësisë.

Protestuesit janë mbledhur në disa vende buzë kufirit me rastin e lëvizjes së protestave të quajtur “Marshi i madh i kthimit”, i cili duhet të zgjasë gjashtë javë me të cilin kërkohet e drejta për kthim të refugjatëve palestinezë dhe dënohet bllokada e ashpër izraelite e Gazës.

Dita e parë e lëvizjes përputhet me Ditën e Tokës, me të cilën çdo vit nderohen arapët e vrarë gjatë protestave të vitit 1976 të cilët kanë protestuar kundër konfiskimit të tokave të tyre.

Zëdhënësi i Ushtrisë izraelite ka konfirmuar se palestinezë janë duke protestuar në gjashtë lokacione në Rripin e Gazës. Sipas fjalëve të tij, ushtarët izraelit janë sulmuar me goma të djegura dhe me gurë, “Ushtria izraelite ka vendosur rreth Rripit të Gazës zonën e mbyllur ushtarake dhe për të gjitha aktivitete në atë rajon duhet të merret leja e tyre”, ka thënë ai./Insajderi.com.