Në SHBA gjatë vitit 2020 janë arrestuar 117 gazetarë

Në SHBA gjatë vitit 2020 janë arrestuar 117 gazetarë

Sipas raportit të botuar nga Fondacioni i Lirisë së Shtypit në SHBA, 117 gazetarë janë arrestuar në gjithë vendin në vitin 2020, transmeton Insjaderi.

Sipas raportit, derisa numri i gazetarëve të arrestuar në vitin 2019 ishte 9, në vitin 2020 ky numër është rritur në 117.

Ndërkaq, nga 152 shkelje ndaj lirisë së shtypit në vitin 2019, ky numër ka shkuar në mbi 1.000 në vitin 2020, raporton Anadolu Agency (AA).

Raporti vuri në dukje se shumica e arrestimeve dhe shkeljeve ndaj lirisë së shtypit ndodhën gjatë protestave mbarëkombëtare kundër vdekjes së afroamerikanit George Floyd si rezultat i shkeljes nga policia në qafë teksa po arrestohej në Minesota.

Në raport, i cili thekson se 71 gazetarë u arrestuan në javën e parë të protestave, u nënvizua se ky numër është më shumë se numri i gazetarëve të ndaluar në SHBA në 3 vitet e fundit.

Trevor Timm, drejtori i Fondacionit të Lirisë së Shtypit, deklaroi se gazetarët nuk duhet të shqetësohen për arrestim për kryerjen e punës së tyre, megjithatë, tha ai, “policia në gjithë vendin ka injoruar çuditërisht të drejtat e gazetarëve”.

Në raport thuhet se gazetarët ndonjëherë kanë përjetuar vështirësi, si ndërhyrje fizike, sulme dhe pengesa, shumica e të cilave kanë ndodhur gjatë protestave në 40 qytete të ndryshme në gjithë vendin. /Insajderi.com