Zelanda e Re ka shënuar përvjetorin e dytë të një prej ditëve të saj më traumatike, kur 51 adhurues u vranë në dy xhami në Christchurch nga një person i armatosur, transmeton Insajderi.
Disa qindra njerëz u mblodhën në Christchurch Arena të shtunën për shërbimin e përkujtimit, i cili gjithashtu u transmetua drejtpërdrejt, raporton Al Jazeera.
Kiran Munir, burri i së cilës Haroon Mahmood u vra në sulme, i tha turmës se ajo kishte humbur dashurinë e jetës së saj dhe shoqen e shpirtit. Ajo tha se burri i saj ishte një baba i dashur i dy fëmijëve të tyre. Ai sapo kishte mbaruar një diplomë doktorature dhe po priste me padurim ceremoninë e diplomimit kur ajo për herë të fundit pa fytyrën e tij të qeshur.
“Nuk e dija që herën tjetër kur do ta shihja atë trupi dhe shpirti nuk do të ishin së bashku”, tha ajo. “Pak e dija që dita më e errët në historinë e Zelandës së Re kishte gdhirë. Atë ditë zemra ime u copëtua në një mijë copa, ashtu si zemrat e 50 familjeve të tjera”.
Në sulmet e 15 marsit 2019, australiani Brenton Tarrant vrau 44 persona në xhaminë Al Noor gjatë lutjeve të së premtes përpara se të nisej për në xhaminë Linwood, ku vrau shtatë të tjerë. Vitin e kaluar Tarrant, 30 vjeç, u deklarua fajtor për 51 akuza të vrasjes, 40 akuza për vrasje në tentativë dhe një akuzë për terrorizëm.
Ai u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht. Pas sulmeve, Zelanda e Re shpejt miratoi ligje të reja që ndalojnë llojet më vdekjeprurëse të armëve gjysmëautomatike. /Insajderi.com