Nedim Bajrami pritet që të jetë risia e listës së trajnerit Reja te Shqipëria, sa i përket përballjeve të kualifikueseve të Botërorit që do të zhvillohen në muajin mars. Mesfushori ka përfaqësuar të rinjtë e Zvicrës, por interesimi i madh i tekniku të njohur italian që ka në duar Kombëtaren tonë, duke e joshur me ftesën e ekipit A, ka bërë që Bajrami të ndryshojë zgjedhjen.
Ky futbollist do t’i rrisë së tepërmi kualitetin e mesfushës te kuqezinjtë. Jo vetëm ide për të ndërtuar aksionet sulmuese, por edhe goditje nga distanca që janë “vrastare” për portierët kundërshtarë. Bajrami ka realizuar sërish me fanellën e Empolit, këtë herë në përballjen kundër Citadelës. Pjesa e parë është mbyllur në shifrat 1-0 dhe Bajrami do të lëshonte një predhë në minutën e 23-të për t’i dhënë avantazhin Empolit, që është duke kryesuar aktualisht kampionatin në Serinë B. /Insajderi.com