Fitorja Aleksandar Vuçiq në zgjedhjet presidenciale të Serbisë më 2 prill, mund të ndihmojnë në stabilizimin e vendit, ka thënë një oficere e lartë ushtarake e NATO-s dhe SHBA-ve.
Admiralja Michelle Howard e cila udhëheq trupat e NATO-s në Napoli të Italisë, ka thënë për Reuters që shpreson se “provokimet e ndërtuara” mes Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit, do të qetësohen tani pas mbarimit të zgjedhjeve në Serbi.
“Tani që kanë mbaruar zgjedhjet, liderët nacional ndoshta do të fokusohen në vendet t tyre dhe do qeverisin. Kjo është shpresa ime”, ka thënë Howard në një intervistë me Reuters.
Ajo ka thënë që regjioni i Ballkanit mbetet një fushë shqetësuese për ushtrinë amerikane dhe NATO-n, e cila ka ende 4,500 trupa në Kosovë pas intervenimit për ndalimin e vrasjeve të civilëve shqiptarë nga Serbia në vitin 1999, njofton Insajderi.
Howard përmendi premtimin e Vuçiqit për të drejtuar vendin në rrugë drejt Bashkimit Evropian, dhe tha që nëse mbahet ky premtim me seriozitet atëherë “Serbia do mbetet e balancuar mes ndikimit të Rusisë dhe pjesës tjetër të Evropës juglindore”.
“Nëse ai është serioz, atëherë unë mendoj se ai do t’i ndihmojë vendit të tij”, ka thënë amerikanja Howard.
Pos tjerash Howard tha që ishte e mahnitur se sa të tensionuara janë ende relacionet mes Serbisë dhe Kosovës gati dy dekada pas luftës.
“Sa herë që flas me dikë të atij regjioni, më kujtojnë që vreri e padrejtësia janë të thella në këtë pjesë të botës, të vdekurit varrosen por jo edhe padrejtësitë”, ka thënë ajo. /Insajderi.com