
Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut do ta kërkojnë kualifikimin për në Kampioniatin Evropian përmes fazës së play-offit të ‘Euro 2020’.
Në mars të vitit 2020, Kosova do të jetë mysafire e Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinalen e play-offit.
Fituesi nga kjo ndeshje do të takohet në finale me fituesin nga ndeshja tjetër gjysmëfinale mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.
Ndërkaq, fituesi i finales do të sigurojë kualifikimin për në ‘Euro 2020’.
Federata e Futbollit e Kosovës pritet të arkëtojë 12 milionë euro nga FIFA dhe UEFA në rast se kualifikohen në Evropian, sipas Presidentit të FC Prishtinës, Remzi Ejupit.
“Sipas informatave që kam FFK do të fitojë 12 milionë euro nga FIFA dhe UEFA. Një shumë e madhe që mund të përdoret për zhvillimin e futbollit vendor”, tha Ejupi në ‘Rock n’Roll Football’.
Kujtojmë se ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës zhvillohet më 26 mars të vitit 2020.