Nëse nuk reflekton qeveria, mjekët në protesta e greva

Nëse nuk reflekton qeveria, mjekët në protesta e greva

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Basri Sejdiu ka kërkuar nga qeveria të reagojë sa më shpejtë para se të shpërthejnë grevat dhe protestat nga stafi mjekësor.

Ky rebelim i mjekëve po vjen pasi Gjykata Kushtetuese anuloi Ligjin për Pagat, me anë të të cilit parashihej rritje e pagave për punëtorët e shëndetësisë.

Njëjtë si Sejdiu, ka paralajmëruar edhe Kryetari i Federatës të Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, i cili nuk e përjashtoi as mundësinë e mbajtjes së protestave, apo futjes në grevë.

“Do mundemi që mos të jenë vendime radikale për shkak të popullatës, jo për shkak krejt të pandemisë, por për shkak të popullatës, mirëpo nëse ata nuk reflektojnë dhe nuk e shikojnë popullatën e vetë atëherë unë kam frikë se neve do të marrim veprime sindikale të padëshirueshme nga ana jonë”, theksoi Syla.

Gjykata Kushtetuese dje e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin e Pagave, i cili u votua nga legjislatura e kaluar e Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari./Insajderi.com