“Nëse nuk respektohen masat Kosova kthehet në pikën zero”

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës lutë bizneset: Respektoni masat mbrojtëse dhe parandaluese për COVID-19.

“Nëse nuk respektohen masat Kosova kthehet në pikën zero”

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka paralajmëruar se nëse nuk respektohen masat për parandalimin e infektimit me COVID-19, atëherë gjithçka mund të kthehet në pikën zero dhe bizneset mund të mbyllen përsëri.

Thirrja e Rukiqit, përmes llogarisë së tij në Facebook, vjen pasi gjatë ditëve të vikendit, për shkak të qarkullimit më të madh të njerëzve pas lehtësimit të masave, është rritur numri i të prekurve me virus.

“Kemi bërë shumë përpjekje dhe mund për të lejuar hapjen graduale të ekonomisë, por gjithçka mund të kthehet në pikën zero nëse masat për të cilat jemi zotuar që do t’i respektojmë, nuk respektohen sidomos në bizneset ku ka grumbullime dhe turma”, shkruan Rukiqi në Facebook.

Mbyllja e serishme e bizneseve do të përbënte një goditje të radhës për ekonominë kosovare.

Gjatë kohës sa masat ishin më rigoroze dhe nuk lejohej zhvillimi i biznisit dhe tregtisë normalisht është raportuar se Kosova ka humbur miliona në baza ditore./Insajderi.com