Ylli brazilian i Paris Saint-Germain (PSG), Neymar tha se sezonin e ardhshëm sërish dëshiron të luaj në një ekip me Lionel Messin, njofton Insajderi.
Neymar, pas ndeshjes së UEFA Ligës së Kampionëve mes PSG-së dhe Manchester Unitedit, të cilën e fituan 3-1 falë dy golave të tij, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Futbollisti i PSG-së u pyet nëse do të dëshironte që Lionel Messi sezonin e ardhshëm të jetë pjesë e PSG-së.
“Ajo që dëshiroj më së shumti është të shijoj futbollin në fushë duke luajtur përsëri me Messin. Mund ta marrë edhe pozitën ku luaj unë, me këtë nuk do kemi asnjë problem. Por, vitin e ardhshëm unë padyshim që dua të jem në të njëjtën skuadër me të. Ne duhet ta realizojmë këtë”, tha Neymar.
Kontrata e Messit me Barcelonën përfundon në fund të sezonit. 33-vjeçari në 743 ndeshje për klubin katalonjas ka shënuar 641 gola. /Insajderi.com