Nga bastisjet e forcave të sigurisë në Mianmar, gjashtë persona kanë humbur jetën

Nga bastisjet e forcave të sigurisë në Mianmar, gjashtë persona kanë humbur jetën

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën në bastisjet që forcat e sigurisë në Mianmar zhvilluan në mesnatë ndaj atyre që protestojnë kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur, transmeton Insajderi.

Sipas lajmeve në faqen Myanmar Now, njoftohet se ushtria e Mianmarit ka përdorur plumba të vërtetë kundër civilëve në operacionet që ka kryer në mesnatë në tre zona të Mandalay për të arrestuar protestuesit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ngjarjet e shënuara humbën jetën të paktën gjashtë persona, mes tyre edhe një i ri 15 vjeçar, si dhe u plagosën rreth 20 njerëz të tjerë.

Grupet e të drejtave të njeriut që ndjekin protestat në vend theksuan se humbjet e jetëve gjithsej janë rritur në 253.

Lirohet gazetari i BBC

Në anën tjetër në një lajm të BBC-së, thuhet se është liruar gazetari i BBC-së, Aung Thur, i cili ishte arrestuar në kryeqytetin Naypyidaw më 19 mars.

Protestat kundër grushtit të shtetit kanë vazhduar edhe sot në shumë rajone të vendit.

Shumë kundërshtarë ndaj grushtit të shtetit që u organizuan nëpërmjet internetit në Yangon, protestuan kundër grusht shtetit duke formuar një autokolonë me mjete dhe duke i rënë borive. Ndërsa në rajonet si Mandalay, Bago, Magway protestuesit zhvilluan protesta pa njerëz me pankartat e vendosura nëpër rrugë.

Grusht ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Ndërkohë Turqia dënoi grushtin e shtetit, kritika dhe reagime të ndryshme erdhën edhe nga vende të ndryshme perëndimore.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën mbi 250 protestues dhe vazhdon burgosja e mbi 2.000 personave të tjerë.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest. /Insajderi.com