Nga futboll plazhi tek pushtimi i botës – Neymar ndër vite

Nga futboll plazhi tek pushtimi i botës – Neymar ndër vite

Ka shumë mundësi që ndarja të jetë menduar për herë të parë në një nga momentet më të bukura të historisë së viteve të fundit të Barcelona-s, “remuntada” ndaj PSG. Ka qenë ai, Neymar, që i ka shtyrë francezët jashtë Champions League.

E ka bërë këtë pothuajse i vetëm, duke realizuar golin e katërt dhe të pestë dhe duke motivuar shokët e skuadrës.

Messi po festonte para tifozëve kur braziliani ka kuptuar se mund të ishte ai protagonisti. Se kishte mbaruar koha për të qëndruar në hijen e Leos dhe se kishte ardhur ajo për të sfiduar argjentinasin me Ronaldo-n për të qenë numri një absolut i botës së futbollit.

Procesi i rritjes së Neymar, i vazhdueshëm, kishte arritur në etapën e fundit. Më pas, sigurisht, janë edhe paratë. Kanë qenë gjithmonë, madje shpesh kanë përcaktuar fatin e Neymar, teksa transferimi i tij nga Santos te Barcelona ka përfunduar në gjyq.

FILLIMET — Me 300 mijë euro është blinduar nga Santos kur, në moshën 14 vjeç, kishte kaluar një provë me Real Madrid. Në Brazil iu kundërpërgjigjën ofertës së “Los Blancos”, duke i lëshuar përqindje të kartonit babait të kudondodhur dhe menaxherit Wagner Ribeiro. Madrilenët vendosën të tërhiqeshin. Neymar Jr. qëndroi te ish-klubi i Pele: ishte vetëm 14 vjeç, por për të kanë filluar të flasin që kur ka qenë 11, teksa kontratën e parë e ka nënshkruar në moshën 13 vjeç.

Një nga sponsorët e tij të shumtë ka folur pak kohë më parë për fillimet e tij, nga fëmijëria, me shumë fotografi interesante të shtëpisë ku ka lindur (një zonë modeste, por jashtë “favela”-s, lagjja e të varfërve në Brazil), të lëvizjeve të para me topin, të fushave ku luante para kalimit te Santos.

Babai ka qenë futbollist, hapat e tij të parë kanë qenë driblime dhe ndeshjet i luante në fushat “street-soccer”, ose në futboll plazhi.

MENJËHERË SANTOS — Te Santos ka shënuar një lum golash me të rinjtë, më pas ka kaluar tek ekipi i parë ku ka kombinuar modele ekstravagante flokësh me gola spektakolarë dhe fitore: në moshën 19 vjeç është ngjitur mbi çatinë e kontinentit, duke fituar Kupën Libertadores në 2011-ën.

Kanë qenë vitet kur nuk e pasonte shumë topin dhe, për rrjedhojë, merrte shumë goditje, gjë që e bënte të humbte durimin: kartonë të kuq dhe episode të tjera kanë bërë që të etiketohej “Balotelli brazilian”, të cilën e ka humbur me kalimin e viteve.

Ndërkohë, është bërë baba para se të mbushte 20 vjeç. Ka djegur etapat në çdo aspekt, edhe në marketing, në sponsorizime dhe në rrjetet sociale.

PUSHTIMI I BOTËS — Transferimi i tij te Barcelona, që e ka prenotuar dhe e ka pritur, ka qenë një telenovelë që ka zgjatur më shumë se kjo aktualja: ka zbarkuar në Europë në qershorin e 2013-ës, për një shifër që është rritur me kalimin e viteve, ndërkohë që zbuloheshin përqindje të diskutueshme dhe pagesa në të zezë që i kanë kushtuar presidencën e Barçës Sandro Rosell.

Në Katalunjë ka fituar gjithçka që mund të fitohej dhe, gjatë së njëjtës periudhë, ka bërë për vete Brazilin, duke u bërë ylli i Seleçao-s: Botërori 2014 është ndërprerë nga këputja e vertebrës të shkaktuar nga një ndërhyrje e kolumbianit Zuniga, i cili ia ka kursyer turpin e “Mineirazo” (7-1 nga Gjermania).

Në Rio 2016 ka fituar medaljen e artë, e para në historinë e Brazilit. Ndikimi i tij te skuadra e Luis Enrique ka qenë në rritje të vazhdueshme. Në vitin e “Tripletës” ka realizuar 39 gola në 51 ndeshje dhe ka dalë i treti në garën për “Topin e Artë”.

Me fanellën e Brazilit, në moshën 24 vjeç, ka kaluar kuotën e 50 golave: përpara tij janë vetëm Romario, Ronaldo dhe Pele. Të gjithë të kalueshëm, edhe “O Rei”, shkruan telesport.

Ndërkohë, Neymar Jr. është bërë “O Ney”: mjafton kjo, ndoshta, për të shpjeguar më mirë dimensionet e këtij fenomeni. Gjithmonë nëse nuk ju mjaftojnë 222 milionë eurot që PSG do të paguajë për të.