Nga goli i çmendur i Messit te turpërimi i Brazilit – momentet e dekadës në futboll [Video]

Nga goli i çmendur i Messit te turpërimi i Brazilit – momentet e dekadës në futboll [Video]

Dekada që po e lëmë pas në futboll ka qenë një periudhë e shumë momenteve të paharrueshme.

2010-2019, janë vitet kur u zhvilluan tre kampionate botërore dhe dy evropianë, transmeton Insporti

Spanja arriti që të shpallej kampione e botës në vitin 2010, Gjermania u shpall më e mira në botë në vitin 2014, ndërsa Franca e fitoi Kupën e Botës katër vite më vonë – e fundit për këtë dekadë.

Padyshim se njëra nga ndeshjet ndërkombëtare që do të mbahet mend gjatë nga dekada e fundit, është debakli që Gjermania i shkaktoi organizatorit Brazilit në Kupën e Botës, kur e mundi thellë 7:1 në gjysmëfinale.

Në Evropiane shkëlqyen Spanja e Portugalia, që i fituan titujt në vitet 2012, gjegjësisht 2016.

Në nivel klubesh, Liga e Kampionëve pati po ashtu disa edicione dhe finale të paharrueshme.

Jose Mourinho me Interin e fitoi tripletën në vitin 2010, sezon që kulmoi me finalen e fituar ndaj Bayern Munichut në Madrid.

Njëra nga finalet e Ligës së Kampionëve që më së shumti mbahet mend është triumfi i Chelseat në vitin 2012 – i pari titull në histori të klubit – në finale ndaj Bayern Munichut në shtëpi të këtyre të fundit, pas ekzekutimit të penalltive.

Finale tejet emocionuese ishte edhe ajo ndërmjet Real Madridit e Atletico Madridit në vitin 2014, që shkoi në vazhdime pas një goli në minutat shtesë, e më pas ‘Los Blancos’ triumfuan pas vazhdimeve, duke e fituar ‘La Deciman’ – trofeun e 10-të të Ligës së Kampionëve në histori. Ata më pas e fituan tri vite rresht titullin, në vitet 2016, 2017 dhe 2018.

Në kampionate, moment i paharrueshëm është ai kur Manchester City e fitoi titullin e Premierligës në sekondat e fundit, në vitin 2012, për t’ia marrë titullin Manchester Unitedit.

Ndërkaq, Leicester City arriti të bëjë mrekullinë dhe atë që pothuajse askush nuk e kishte pritur, duke e fituar kampionatin në vitin 2016.

Njëra nga golat që do të mbahet mend më së gjati nga dekada është goli i ‘çmendur’ i Messit që e shënoi në Camp Nou në vitin 2015 ndaj Athletic Bilbaos në Kupën e Mbretit.

Për të parë më shumë nga ndeshjet, momentet, dhe golat e dekadës, shikoni përmbledhjen në video më poshtë. /Insporti.com/