Sindikata e Gazetarëve Palestinezë deklaroi se 33 institucione mediatike janë vënë në shënjestër dhe 170 gazetarë janë lënduar gjatë sulmeve dhe shkeljeve të Izraelit në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, transmeton Insajderi.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), kryetari i Sindikatës, Naser Abu Bakr, vlerësoi ndikimin e sulmeve të ushtrisë izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës nga 10 maji, që përfunduan me një armëpushim me Hamasin, ndaj mediave dhe punonjësve të tyre.
Ai tha se 33 qendra të institucioneve mediatike u shkatërruan në rajon sipas hetimeve të para të bëra gjatë sulmeve, duke shtuar se vlerësimet e dëmeve po vazhdojnë dhe se numri i organizatave të dëmtuara ose të shënjestruara mund të rritet.
Abu Bakr njoftoi se 70 gazetarë u plagosën në sulmet e Izraelit në Gaza dhe 100 në dhunën në Bregun Perëndimor dhe Kuds.
Kryetari i sindikatës vuri në dukje se shumica e lëndimeve në Bregun Perëndimor ndodhën për shkak të gazit lotsjellës, ndërsa ato në Gaza për shkak të shrapnelëve gjatë bombardimeve.
Gazetari Yusuf Abu Hussein, i cili punonte në radion lokale “Zëri i Kudsit”, vdiq pasi aeroplanët luftarakë izraelitë bombarduan një shtëpi me tri raketa në lagjen Sheikh Ridvan në Gazën perëndimore më 19 maj.
“Sindikata po përgatit një dosje që mbulon plotësisht krimet e kryera nga forcat pushtuese kundër gazetarëve në sulmet e tyre në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Kuds, në bashkëpunim me gazetarë ndërkombëtarë, për t’ia paraqitur Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP)”, tha Abu Bakr.
Duke theksuar se ligjërisht duhen disa muaj për ta kompletuar dosjen, Abu Bakr tha se sindikata paraqiti një dosje të ngjashme në GJNP vitin e kaluar, por procedurat gjyqësore janë të gjata dhe komplekse.
Ai e përshkruajti si “masakër” ato që u ndodhën mediave.
“Izraeli kreu veprime terroriste për të fshehur krimet e tij”, u shpreh Abu Bakr.
Suksesi i gazetarëve palestinezë
Abu Bakr theksoi se gazetarët palestinezë shfaqën efikasitet dhe aftësi të jashtëzakonshme për të raportuar gjatë sulmeve, arritën të ndikojnë në opinionin publik dhe të mobilizojnë miliona njerëz në gjithë botën me skenat e tmerrshme të krimit që i transmetuan.
Abu Bakr tha se sindikata dokumentoi gati 500 sulme dhe krime të kryera në territorin palestinez vitin e kaluar, sipas përcaktimeve të ligjit ndërkombëtar.
Sulmi ndaj zyrave të AP-së dhe Al Jazeera-s
Izraeli bombardoi një ndërtesë në Gaza më 15 maj, ku ndodheshin zyrat e agjencisë së lajmeve Associated Press (AP) dhe televizionit Al Jazeera.
Në ndërtesë kishte po ashtu 60 apartamente, si dhe zyra të mjekëve dhe avokatëve.
Organizata Reporterët pa Kufij (RSF) i bëri thirrje Gjykatës Ndërkombëtare Penale më 17 maj për të filluar një hetim në lidhje me bombardimin e kësaj ndërtese.
Ndryshe, Izraeli nisi një ofensivë në Rripin e rrethuar të Gazës më 10 maj, e cila përfundoi në orën 02:00 me kohën lokale në përputhje me një armëpushim të arritur me Hamasin. /Insajderi.com