Shumica e qendrave dhe objekteve sportive të përgatitura për lojërat Olimpike në Rio, ndër të cilat është edhe stadium historik Maracana, janë shndërruar tërësisht në rrënoja edhe pse nuk kanë kaluar as 6 muaj nga organizimi i këtyre lojërave.
Sipas lajmeve të publikuara në shtypin e Brazilit, kriza ekonomike në nivel rekord që përjetohet në këtë shtet, ka efekt negativ si në sektorët e tjerë ashtu edhe në sport.
Shumë qendra dhe objekte sportive që u hapen për lojërat Olimpike në qytetin Rio de Jeneiro në muajin gusht të vitit të kaluar, janë aktualisht në gjendje të papërdorshme për shkak të mos marrjes masave të mjaftueshme, shkruan AA.
Janë dëmtuar edhe karriget dhe terreni i gjelbër i stadiumit historik Maracana ku u mbajtën ceremonitë e hapjes dhe të mbylljes të lojërave Olimpike. Nuk ndizen as dritat e këtij stadium për shkak të mospagimit të faturës së energjisë elektrike e cila e tejkalon shifrën prej 1milionë dollarë nga ana e Komunës së Rio-s.
“Nuk është i vetmi problem dëmtimi i terrenit dhe karrigeve të stadiumit. Ne më së shumti frikohemi nga rreziqet jetësore që mund të paraqiten nëse mundohet të hiqet kulmi i stadiumit”, u shpreh Daelcio de Freitas, një nga drejtuesit e Stadiumit Maracana.
Njoftohet se edhe sallonet sportive, qendrat për tenis dhe golf që gjenden në “Parkun e Olimpiadës”, kanë filluar të dëmtohen pasi që janë zbrazur pas lojërave Olimpike.
Për shkak se dobësia ekonomike e shtetit ka ndikuar në fuqinë blerëse të qytetarëve, theksohet se qendrat sportive janë mbyllur shumë shpejt nga mos interesimi i mjaftueshëm.