Në zjarrin që shpërtheu dje në kampin e refugjatëve Rohingya në Cox’s Bazar të Bangladeshit kanë humbur jetën të paktën 15 persona ndërsa 400 janë të zhdukur, transmeton Insajderi.
Përfaqësuesi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuar për Refugjatë (UNHCR) për Bangladeshin, Johannes Van der Klaauw tha se pas zjarrit të shpërthyer në kampin Balukhali në Cox’s Bazar nuk kanë asnjë informacion për 400 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai tërhoqi vëmendjen se në zjarr kanë humbur jetën të paktën 15 persona, 560 janë plagosur, të paktën 10 mijë çadra janë djegur, gjë që shkaktuar të paktën 45 mijë persona të mbeten pa strehë. Klaauw shtoi se në kampet në Bangladesh nuk ka ndodhur një zjarr i ngjashëm në të kaluarën.
Klaauw potencoi se ekipet e OKB-së po zhvillojnë punime në rajone, duke shtuar se në fatkeqësi janë shkatërruar edhe klinikat dhe qendrat e shpërndarjes.
Zyrtari i UNHCR-së tha se me Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit (IOM) janë duke i koordinuar punimet pas zjarrit, ndërsa prioritet janë gratë dhe fëmijët.
Ndërkohë zyrtarët e Bangladeshit kanë filluar hetime në lidhje me zjarrin.
Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit
Në vitin 2012 në Arakan u shfaqën konflikte mes budistëve dhe muslimanëve ku si pasojë e ngjarjeve, mijëra persona nga të cilët shumica muslimanë, u masakruan dhe qindra shtëpi dhe biznese u dogjën.
Ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë filluan dhunën masive duke treguar si arsyetim sulmet e njëkohshme më 25 gusht 2017 në stacionet kufitare në Arakan.
Sipas OKB-së, që nga gushti i vitit 2017 e deri tani, ka arritur në 900 mijë numri i të strehuarve në Bangladesh pasi u larguan nga presioni dhe persekutimi në Arakan.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet pamjeve satelitore kanë treguar se qindra fshatra janë shkatërruar.
Agjencitë e OKB-së dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e cilësojnë si “spastrim etnik” ose “gjenocid” dhunën ndaj muslimanëve të Arakanit. /Insajderi.com