
Është rritur në 42 numri i emigrantëve që kanë humbur jetën gjatë përmbysjes së një varke në Xhibut, transmeton Insjaderi.
Zëdhënësja e Departamentit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM) për Jemenin, Olivia Headon, konfirmoi se emigrantët në varkën e cila u përmbys të hënën, u nisën nga Jemeni i cili gjendet në konflikt dhe krizë ekonomike, raporton Anadolu Agency (AA).
Ajo theksoi se numri i të vdekurve është rritur në 42.
Drejtori i Departamentit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për Afrikën Lindore dhe Bririn e Afrikës, Mohammed Abdiker, dje konfirmoi në rrjetin social Twitter se një varkë në pronësi të trafikuesve të qenieve njerëzore u përmbys.
Në mars të këtij viti, të paktën 20 nga 80 emigrantë të hedhur në det nga trafikantët e qenieve njerëzore në Xhibut u mbytën. /Insajderi.com