Nga përmbytjet në Vietnam, së paku 84 viktima

Nga përmbytjet në Vietnam, së paku 84 viktima

Reshjet e mëdha të shiut, përmbytjet dhe rrëshqitja e tokës në Vietnam kanë shkaktuar vdekjen e së paku 84 personave, transmeton Insajderi.

Reshje të mëdha shiu që goditën pjesën qendrore të Vietnamit, shtet që ndodhet në Azinë Juglindore, kanë rezultuar në humbje njerëzore. Mediat lokale raportojnë se të paktën 38 persona mbeten të zhdukur, ndërsa të vdekurit përfshijnë punonjës të operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Të paktën 13 zyrtarë dhe pjesëtarë të ushtrisë, duke shkuar për në hidrocentralin Rao Trang-3, humbën jetën nga një rrëshqitje e tokës në provincën Thua Thien Hue.

Zyra vietnameze e Komitetit Drejtues për Parandalimin dhe Kontrollin e Katastrofave Natyrore njoftoi se 52.933 shtëpi u përmbytën, ndërsa 24.734 u dëmtuan seriozisht.

Mbi 107.500 hektarë oriz dhe kultura ushqimore u dëmtuan nga përmbytjet, ndërsa mbi 461 mijë bagëti dhe shpendë ngordhën ose u rrëmbyen nga ujërat e mëdha. Rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet po ashtu dëmtuan 12 autostrada kombëtare dhe rrugë lokale.

Kryeministri Nguyen Xuan Phuc nisi një fushatë mbarëkombëtare për të mbledhur fonde për familjet e varfra dhe viktimat e përmbytjeve. /Insajderi.com