Është rritur në 521 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë në protestat që zhvillohen kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur, transmeton Insajderi.
Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 11 humbje të jetëve të tjera, duke rritur në të paktën 521 numrin e viktimave, raporton Anadolu Agency (AA).
Në raport thuhet se në vend nën arrest ndodhen 2.608 persona dhe se ka një urdhër arresti për 120 persona të tjerë.
Në anën tjetër në qytetin më të populluar të vendit në Yangon dje u mbajt lutja e mbrëmjes në përkujtim të personave që kanë humbur jetën në protesta.
Dhjetëra mijëra njerëz që u mblodhën në sheshin e Yangonit u lutën dhe ndezën qiri për protestuesit e vrarë nga forcat e sigurisë.
Grushti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Minamarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën mbi 500 protestues.
Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest. /Insajderi.com