Nga protestat në Mianmar, tetë protestues humbën jetën nga ushtrimi i dhunës së policisë

Nga protestat në Mianmar, tetë protestues humbën jetën nga ushtrimi i dhunës së policisë

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e intervenimit të armatosur të forcave të sigurisë në protestat që po zhvillohen në Mianmar kundër grusht ushtarak të shtetit dhe arrestimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë, transmeton Insajderi.

Sipas lajmit në ueb faqen Myanmar Now, ushtria e Mianmarit ka intervenuar në protestat në qytetet Aungpan, Kalaw dhe Loikaw, ndërsa ndaj protestuesve ka përdorur plumba të vërtetë, raporton Anadolu Agency (AA).

Si pasojë e zjarrit të hapur të ushtarëve në drejtim të turmës, në tri qytete kanë humbur jetën të paktën tetë persona, kurse të paktën 23 janë plagosur.

Ndërkaq, në videot e publikuara në rrjetet sociale, mund të shihet se forcat e sigurisë dëmtojnë shtëpitë dhe automjetet e civilëve me buldozerë në qytetin Aungpan.

Ndërkohë, në vend janë arrestuar dy gazetarë që i ndjekin protestat.

Në deklaratën e bërë nga Mizzima News, theksohet se një nga ish-gazetarët e tyre bashkë me gazetarin e BBC-së janë arrestuar në Yangon. Ende nuk dihet se ku mbahen gazetarët.

Pesë gazetarë, në mesin e tyre edhe i agjencisë Associated Press, ishin arrestuar më 27 shkurt dhe javën e kaluar u ishte zgjatur paraburgimi.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën mbi 200 protestues, ndërkohë që vazhdon burgosja e mbi 1.500 personave të tjerë.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest. /Insajderi.com