Nga rënia e autobusit në humnerë, 21 persona kanë humbur jetën në Bolivi

Nga rënia e autobusit në humnerë, 21 persona kanë humbur jetën në Bolivi

Të paktën 21 persona e kanë humbur jetën ndërsa 20 të tjerë janë plagosur pasi një autobus ka rënë në një humnerë në Bolivi, transmeton Insajderi.

Sipas lajmeve në mediat e Bolivisë, autobusi i pasagjerëve që po udhëtonte nga qyteti Cochabamba në pjesën qendrore të vendit në Santa Cruz, është rrokullisur në humnerën prej 150 metrash pasi shoferi ka humbur kontrollin e autobusit në qytezën Calomi, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët njoftuan se të paktën 21 persona humbën jetën ndërsa 20 të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë, mësohet se njëri nga të plagosurit është Erwin Tumiri i cili i mbijetoi aksidentit ajror kur avioni me futbollistët brazilian u rrëzua në Kolumbi më 29 nëntor 2016.

“Falënderoj Zotin se edhe një herë kam mbijetuar. Mjekët më thanë ti je ‘engjëll i mbrojtjes së Zotit'”, tha ai.

Avioni me futbollistët brazilianë ishte rrëzuar në Kolumbi ku nga 81 persona, vetëm pesë shpëtuan. /Insajderi.com